VONESAT
Të drejtat tuaja kur një fluturim ju vonohet
Nëse keni mbërritur në destinacionin tuaj përfundimtar me një vonesë prej më shumë se 3 orësh, atëherë ju keni të drejtë të kërkoni kompensim nga kompania ajrore me të cilën keni rezervuar biletën e udhëtimit.
Çfarë të bëni kur fluturimi juaj vonohet?
Për të përfituar një kompensim, ju duhet që:
- Të keni nisjen nga një aeroport i vendosur në Shqipëri me çfarëdo kompani ajrore; ose
- Të keni mbërritur në një aeroport të vendosur në Shqipëri, me një kompani ajrore Shqiptare ose të Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit; ose
- Të mbërrini në një aeroport të Zonës së Përbashkët Evropiane Aviacionit, me një kompani ajrore shqiptare.
Kompensimi
Sa është vlera e kompensimit tim për vonesën?
Kompanitë ajrore duhet të ofrojnë kompensim nëse fluturimi juaj arrin në destinacionin me më shumë se 3 orë vonesë.
Nëse Kompania Ajrore do të sigurojë prova se, anullimi i fluturimit ka ardhur si rezultat i rrethanave të jashtëzakonshme, atëherë Kompania Ajrore nuk do të jetë e detyruar të paguajë asnjë kompensim.
Distanca e fluturimit dhe kohëzgjatja e vonesës tuaj përcakton shumën që mund të përfitoni si kompensim, kështu që është mirë të kontrolloni se në cilën kategori bën pjesë fluturimi juaj:
Vonesa nga 3-4 orë | Vonesa më shumë se 4 orë | Distanca |
250 Euro | 250 Euro | 1,500 km ose me pak |
400 Euro | 400 Euro | Fluturime brenda Evropës me distancë më shumë se 1500 km dhe të gjitha të tjerat ndërmjet 1500 dhe 3500 km |
600 euro | 600 Euro | Më shumë se 3500 km |
Krahas kompensimit monetar, a kam të drejta të tjera në rast vonese të fluturimit tim?
Po, ju keni të drejtë për përkujdesje falas, në rast se fluturimi juaj vonohet ndërmjet 2-3 orëve, përkatësisht:
- Ushqim dhe pije freskuese (zakonisht në formë kuponi për t’i shpenzuar)
- Dy telefonata, faks, ose e-maile pa pagesë
- Akomodim në hotel në rastet kur ju është shtyrë nisja për ditën tjetër
- Transporti ndërmjet aeroportit dhe vendit të akomodimit (hotel ose të tjera).
Po si funksionon kjo në praktikë?
Nëse fluturimi juaj vonohet, disa kompani ajrore ofrojnë kupona për ju që të mund të blini ushqime dhe pije. Nëse keni nevojë për akomodim në hotel, ata mund të rezervojnë qëndrimin tuaj në hotel dhe të organizojnë transportin për ju.
Ndonjëherë kompanitë ajrore nuk janë në gjendje të ofrojnë përkujdesje dhe ndihmë për të gjithë pasagjerët. Kjo mund të ndodhë kur përballen me një fluks të lartë të anulimeve dhe vonesave.
Nëse ju ndodh kjo gjë, ju keni të drejtë ta organizoni vetë akomodimin dhe të merrni kujdesin dhe shërbimet e nevojshme dhe më pas, të kërkoni rimbursim nga kompania ajrore. Nëse ju ndodh që të përfundoni duke paguar faturat vetë, atëherë ju duhet të ruani çdo faturë të paguar dhe mos shpenzoni më shumë sesa e keni të nevojshme. Linjat ajrore nuk do t’ju rimbursojnë për gjëra të tilla si qëndrimi në dhomë luksoze apo konsumim i pijeve alkoolike.
Kompanitë ajrore do t’i përgjigjen kërkesës tuaj për rimbursim në një kohë të arsyeshme. Nëse ndodh që mos të jeni të kënaqur me kohëzgjatjen e përgjigjes ose nuk jeni dakord me vendimin e kompanisë ajrore në lidhje me kërkesën tuaj, atëherë ju lutem dërgoni një ankesë pranë postës elektronike të AAC pax@acaa.gov.al dhe ne do të ndjekim menjëherë rastin tuaj.
A doni të vazhdoni ende fluturimin tuaj pavarësisht vonesës?
Nëse fluturimi juaj është vonuar për më shumë se 5 orë dhe nuk dëshironi më të udhëtoni, atëherë keni të drejtë për rimbursim.
Nëse keni një biletë me fluturim me tranzit dhe keni humbur fluturimin tuaj të tranzitit për shkak se fluturimi juaj i parë është vonuar, ju gjithashtu keni të drejtë për një fluturim kthimi falas në pikën tuaj fillestare të nisjes.
Në rast se vendosni të pranoni një rimbursim ose të udhëtoni më vonë se fluturimi i parë i disponueshëm, atëherë kompania juaj ajrore nuk ka asnjë detyrim t’ju sigurojë ushqim, pije apo akomodim falas.
Vazhdimi i udhëtimit dhe mbërritja në destinacion
Nëse ende dëshironi të udhëtoni, atëherë kompania juaj ajrore duhet t’ju dërgojë në destinacionin tuaj të planifikuar. Mundohuni të jeni të durueshëm, ndërkohë që kompania ajrore ri-organizon transportin dhe ri-rezervon për pasagjerët, sepse rregullorja e përcakton qartë se ju duhet të mbërrini në destinacion. Kompania juaj ajrore duhet të kujdeset për ju, duke siguruar ushqim, pije, akses në komunikim dhe akomodim (nëse vonoheni gjatë natës), ndërsa prisni fluturimin tuaj të ri-organizuar.
Ndonjëherë mund të ndodhë që linjat ajrore t’ju këshillojnë të rezervoni vetë fluturimin tuaj me mënyra të tjera alternative dhe më pas të aplikoni për kompensim. Nëse e bëni këtë zgjedhje, përpiquni t’i ulni kostot sa më shumë që të mundeni, ruani faturat dhe regjistroni emrin e personit që ju jep këtë udhëzim. Nëse është e mundur, rezervoni me të njëjtën linjë ajrore.