REFUZIMI I HIPJES NË BORD TË AVIONIT KUNDËR DËSHIRËS SUAJ

 
Të drejtat tuaja kur ju refuzohet hipja në bord të avionit

Në rastet e refuzimit të hipjes në bord të avionit kundër dëshirës tuaj, rregullorja parashikon të drejta kur linja ajrore nuk mund t’ju akomodojë për shkak të mungesës së vendeve në avion, por gjithashtu parashikon edhe disa rrethana kur refuzimi i hipjes në bord është i arsyeshëm. Këto janë rastet kur përfshihen arsyet e shëndetit, sigurisë në fluturim të avionit, aspekteve të sigurisë në përgjithësi, ose dokumentacion i pamjaftueshëm i udhëtimit. Kështu, për shembull, konsiderohet e arsyeshme që një kompani ajrore të refuzojë hipjen në bord, nëse pasagjeri nuk ka një pasaportë të vlefshme ose, kur kërkohet, dokumentet e duhura për të provuar një vaksinim kur kërkohet etj. 

Ndonjëherë linjat ajrore rezervojnë më shumë njerëz në një fluturim sesa ka vende në dispozicion avioni. Gjithashtu ndodh që kompanitë ajrore mund të mos jenë në gjendje të transportojnë të gjithë pasagjerët për shkak të përdorimit të një avioni më të vogël nga ai që ishte parashikuar, për shkak se shumë njerëz përpiqen herë pas herë të bëjnë check –in për një fluturim, problemeve teknike të sistemeve etj, e si pasojë disa pasagjerëve mund t’u kërkohet ose mund të jenë të detyruar të heqin dorë nga vendi i tyre në avion.

Nëse kjo ju ndodh juve, do të thotë se “ju është mohuar fluturimi’. Shpeshherë mund të ndodhë që ju të pranoni të dilni vullnetarë për të hequr dorë nga fluturimi juaj, por në rastet e tjera kompanitë ajrore do t’jua mohojnë fluturimin pa pëlqimin tuaj.

Kompensimi financiar kur ju refuzohet hipja në bord kundër dëshirës tuaj

Nëse ju refuzohet hipja në bord pa pëlqimin tuaj, ju keni të drejtë për kompensim, për sa kohë keni bërë check – in në kohë, për fluturimin tuaj.

Niveli i kompensimit financiar do të varet nga kohëzgjatja e fluturimit tuaj dhe nga koha e fluturimit alternativ që ju ofrohet.

Vullnetarizmi për t’u hequr dorë nga fluturimi juaj

Nëse pranoni të dilni vullnetarë për të hequr dorë nga fluturimi juaj, varet nga ju dhe kompania juaj ajrore që të bini dakord për vlerën e kompensimit. Shpeshherë qëllon që, kompanitë ajrore të bëjnë një njoftim tek gate duke ofruar kompensim, i cili mund të jetë në para ose kupona.

Nëse pranoni vullnetarisht heqjen dorë nga fluturimi juaj, ju gjithashtu keni të drejtë për një fluturim alternativ ose një rimbursim, siç përshkruhet më poshtë. 

 

Të drejta të tjera kur ju refuzohet hipja në bord kundër dëshirës tuaj

Pavarësisht nëse dilni vullnetarë apo ju është mohuar fluturimi, kompania juaj ajrore duhet gjithashtu t’ju lejojë të zgjidhni midis dy opsioneve:

  1. Të zgjidhni një fluturim alternativ

Kompania juaj ajrore duhet t’ju ofrojë një fluturim alternativ. Varet nga ju nëse do të fluturoni sa më shpejt të jetë e mundur, ose në një datë të mëvonshme që ju përshtatet ju. Kompanitë ajrore shpesh i referohen kësaj praktike si “ri-fluturim”.

Nëse dëshironi të fluturoni sa më shpejt të jetë e mundur, linja juaj ajrore duhet gjithashtu t’ju ofrojë asistencë dhe përkujdesje gjatë kohës së pritjes së fluturimit.

Kjo do të thotë se ata duhet të ofrojnë:

  • Ushqim dhe pije freskuese (shpesh ofrohet në formën e kuponëve)
  • Një mënyrë që ju të komunikoni (shpesh duke rimbursuar koston e telefonatave tuaja)
  • Akomodimi, nëse do të ri-fluturoni të nesërmen (zakonisht në një hotel aty pranë)
  • Transporti për dhe nga hoteli (ose shtëpia juaj, nëse mund të ktheheni atje)

Kompania ajrore duhet t’ju sigurojë këto shërbime, derisa të jetë në gjendje t’ju nisë në destinacionin tuaj, pavarësisht se sa zgjat vonesa ose çfarë e ka shkaktuar atë.

  1. Të merrni një rimbursim

Nëse nuk doni të fluturoni, ju mund të kërkoni t’ju kthehen paratë tuaja. Do të merrni një rimbursim për të gjitha pjesët e biletës që nuk keni përdorur.

Për shembull, nëse keni rezervuar një fluturim kthimi dhe në intenerarin e fundit të udhëtimit ju është refuzuar hipja në bord, ju mund të merrni koston e plotë të biletës së kthimit nga kompania juaj ajrore.