TAKIM ME DREJTORIN E AAC, SË MAQEDONISË SË VERIUT
Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil shqiptar z.Krislen Keri, ka zhvilluar një vizitë në Maqedoninë e Veriut me ftesë të homologut z. Tomislav Tunev.
Gjatë takimit, që u zhvillua në ambientet e Aeroportit të Ohrit, palët diskutuan për disa çështje të rëndësishme si menaxhimi i hapësirës ajrore mbi Liqenin e Ohrit, e cila përdoret nga pala maqedonase për avionët që fluturojnë nga ky aeroport, për të vijuar me koordinimin e punëve për shkëmbime ekspertize për zhvillimin e aktiviteteve mbikqyrëse të entiteteve ajrore të dy vendeve, mundësinë e zhvillimit të trajnimeve të përbashkëta etj.
Keri mirëpriti nismën për të zhvilluar një forum të përbashkët rajonal, dhe ku Autoritetet e gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor të adresojnë problematikat e përbashkëta për të përmirësuar eficencën dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Sipas Kerit, krijimi i një formati rajonal do të ndikonte pozitivisht edhe në organizmat e rëndësishme europiane si EASA, për të adresuar çështje me interes të përbashkët.
Ndërsa z. Tunev vlerësoj AAC si një institucion që ka ndërmarrë hapa shumë pozitivë, në përmirësimin e performancës dhe kontributit në aviacionin civil kombëtar dhe rajonal, duke u ndalur në veçanti me organizimin e trajnimeve të rëndësishme në bashkëpunim me ICAO-n dhe JAA.
Pas vizitës në Aeroportin e Ohrit, Keri tha se një potencial të madh dhe të ngjashëm në rajon do të ketë edhe Aeroporti i Kukësit, që pritet të ketë impakt shumë pozitiv në turizëm dhe në ekonomi, dhe ftoi përfaqësuesit e këtyre dy aeroporteve të fillonin një bashkëpunim me qëllim shkëmbimin e ekspertizës së ndërsjelltë dhe më gjerë.
Dy zyrtarët koordinuan edhe bashkëpunimin në forumet e ardhshme të aviacionit, ku mbajtja e qëndrimeve si rajon do të ishte më efektive dhe e dobishme.
Më poshtë gjeni dhe fotot nga vizita dhe takimi i kryer.