Sistemi i ✈️Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës nuk preket nga rënia e sistemeve kompjuterike globale, por vonesa pritet të shkaktohen nga “black out” në aeroportet e tjera.
Situata e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit, në disa aeroporte ndërkombëtare, nuk ka afektuar për momentin Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij.
Gjithsesi vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.
Duke kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve për këtë situatë të krijuar, ju lutemi të informohen në vijimësi përmes zyrës së informacionit të TIA për oraret e fluturimeve dhe ndryshimin e mundshëm të tyre.