Raportimi i ngjarjeve
Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar ka të vendosur një sistem për Raportimin e Detyrueshëm dhe Raportimin Vullnetar të Ngjarjeve në Aviacionin Civil.
Ky sistem është në përputhje me:
– Ligjin Nr. 96/2020, datë 23.07.2020 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë”, dhe
– Urdhër Ministri Nr.173, datë 12.04.2019 “Për miratimin e rregullores për raportimin dhe ndjekjen e ngjarjeve në Aviacionin Civil në Republikën e Shqipërisë”.
Qëllimi i “Raportimit të Ngjarjeve në Aviacionin Civil” është përmirësimi i sigurisë ajrore, duke garantuar që të dhënat përkatëse mbi sigurinë raportohen, mblidhen, ruhen, mbrohen dhe shpërndahen. Qëllimi i vetëm i raportimit të ngjarjeve mbetet parandalimi i aksidenteve dhe incidenteve dhe jo përcaktimi i fajit apo përgjegjësisë.
Raportimet e ngjarjeve trajtohen në mënyrë konfidenciale për të pasur raportim të plotë dhe të lirë nga komuniteti i aviacionit dhe për të mbrojtur identitetin e individit, në përputhje me Urdhërin e Ministrit Nr.173, datë 12.04.2019 “Për miratimin e rregullores për raportimin dhe ndjekjen e ngjarjeve në Aviacionin Civil në Republikën e Shqipërisë”.
Mbështetur në këtë urdhër lista e personave të cilët duhet të kryejnë raportim të detyrueshëm është si më poshtë:
a) operatori ose administratori i një avioni transporti publik ose me turbinë të përdorur nga një operator për të cilin Autoriteti i Aviacionit Civil garanton mbikëqyrje të sigurisë së operimeve;
b) personi që kryen projektimin, prodhimin, mirëmbajtjen ose modifikimin e një avioni transporti publik ose me turbinë, ose të një pajisjeje e pjese të tij nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil;
c) personi i cili nënshkruan çertifikatën e inspektimit të mirëmbajtjes ose të lëshimit për shërbim të një avioni transporti publik ose me turbinë ose të një pajisjeje e pjese të tij nën mbikëqyrjen e Autoritetit të Aviacionit Civil;
d) personi i cili kryen një funksion që i kërkon atij të autorizohet nga Autoriteti i Aviacionit Civil, si kontrollues i trafikut ajror ose si zyrtar i informacionit për fluturimet;
e) administratori i një aeroporti sipas udhëzimit të Ministrit nr.17, datë 2.9.2010 “Për rregullat e zbatueshme lidhur me operimin në fushën e shërbimeve ajrore”;
f) personi i cili kryen një funksionin lidhur me instalimin, modifikimin, mirëmbajtjen, riparimin, riparimin kapital, kontrollin e fluturimit ose inspektimin e pajisjeve të navigimit ajror për të cilat Autoriteti i Aviacionit Civil është përgjegjësi;
g) personi i cili kryen një funksion lidhur me përpunimin në tokë të avionit, përfshirë furnizimin me karburant, shërbimin, përgatitjen e dokumentit të ngarkesës, ngarkimin, shkrirjen e akullit dhe rimorkimin në një aeroport.
Raportimi vullnetar
Përveç sistemit të raportimit të detyrueshëm të përcaktuar në rregullore, AAC ka vendosur një sistem të raportimit vullnetar me qëllim mbledhjen dhe analizimin e informacionit mbi mungesat e vërejtura në aviacion, të cilat nuk kërkohen të raportohen sipas sistemit të detyrueshëm të raportimit, por të cilat perceptohen nga raportuesi si një rrezik aktual ose potencial.
Për të patur një raportim sa më efikas AAC ka vendosur në dispozicion format e raportimit të detyrueshëm dhe vullnetar, të cilat gjenden duke klikuar në paragrafin:
“Format e Raportimit të ngjarjeve në Aviacionin Civil”
Ngjarjet e lidhura me Menaxhimin e Trafikut Ajror (MTA):
Ngjarjet e lidhura me MTA raportohen në fillim të çdo muaji nga Albcontrol dhe pas kësaj këto ngjarje grumbullohen dhe analizohen .
Klasifikimi i ngjarjeve bëhet sipas databazës Annual Summary Template (AST) e cila i dërgohet çdo 6 muaj (Mars dhe Shtator) në EUROCONTROL .