PROGRAMI I TRANSPARENCËS I AAC

I. HYRJE

Në përputhje me nenin 7 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” është përgatitur programi i transparencës i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC)
Ky program përcakton kornizën ligjore të veprimtarisë së autoritetit në kuadër të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
Ky program vlerësohet si një mënyrë zyrtare, ligjore dhe praktike përmes së cilës Autoriteti Publik (këtej e tutje AAC) ndërton dhe rrit transparencën në punën e tij institucionale, nën garancinë e ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
AAC-ja do të përditësojë herë pas here Programin e Transparencës, në përputhje me pikën 2 të nenit 5 të ligjit nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”
Informacioni i bërë publik në këtë program, synon të bëjë transparencën e veprimtarisë së punës së AAC-së, nëpërmjet pasqyrimit të detajuar të tij në faqen zyrtare të internetit: www.aac.gov.al si dhe në mjediset e pritjes së publikut.

Dokumentacioni i bërë publik, do të mbahet i përditësuar në formë e përmbajtje. Faqja zyrtare e internetit e AAC-së është ndërtuar në atë formë që mundëson informacion për publikun pa kërkesë në format lehtësisht të kuptueshëm. Në rubrikat e faqes zyrtare të institucionit të AAC-së do pasqyrohen informacione që janë të nevojshme për industrinë e aviacionit civil në Republikën e Shqipërisë siç janë ato për operatorët (aeroportet, shoqëritë ajrore), ofruesin e shërbimit të lundrimit ajror, entet si ato për Catering, Cargo & Mail, Fueling, Cleaning. Gjithashtu do ketë edhe të tjera informacione të dobishme e të vlefshme për komunitetin e njerëzve të anagazhuar në veprimtaritë e aviacionit civil apo për persona që aspirojnë të bëhen pjesë e këtij komuniteti, studjues vendas e të huaj. Do jenë të pranishme lidhjet direkte me organizatat ndërmbëtare të sektorit të transportit ajror si ICAO (Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil), EUROCONTROL, EASA, ECAC, JAA TO.

II. PARIME TË PËRGJITHSHME

Parimet kryesore në të cilat mbështetet Programi Transparencës së AAC-së janë:

1. “E drejta për informim” që është e drejtë Kushtetuese e parashikuar në nenin 23 të saj, e aksesueshme nga të gjithë pa asnjë përjashtim.

2. Prezumimi i publikimit maksimal të të dhënave: Në përputhje me nenin 3 të 10233, datë 11.2.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar, AAC-ja është person juridik publik dhe si e tillë ushtron funksione publike e për rrjedhojë informacioni që buron nga veprimtaria e saj publikohet në përputhje me legjislacionin në fuqi. Me përjashtim të dispozitave që përbëjnë informacion konfidencial sipas nenit 22 të ligjit nr. 10233, datë 11.2.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, të ndryshuar.

3. Zbatimi korrekt i ligjit dhe dispozitave ligjore që rregullojnë në mënyrë të posaçme veprimtarinë e AAC-së dhe përkatësisht: Ligji nr. 96/2020, “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë” , dhe ligji nr. 10233, datë 11.2.2010 “Për Autoritetin e Aviacionit Civil”, i ndryshuar.

4. Informacioni do përshtatet në gjuhë të qartë e të kuptueshme. Dhe kur janë mundësit ky informacion do jepet i plotë edhe në gjuhën angleze, si një prej gjuhëve të punës të ICAO-s.

5. Organi mbikëqyrës i procedurave të informimit publik është Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale”.

6. Rishikimi i programit të transparencës bëhet sipas së njëjtës procedurë, përmes së cilës është bërë miratimi i tij.

7. Informacioni publik pa kërkesë duhet të jetë:
• i plotë;
• i saktë;
• i përditësuar;
• i thjeshtë në konsultim;
• i kuptueshëm;
• lehtësisht i aksesueshëm;
• i pajtueshëm me dokumentet origjinale në posedim të autoritetit publik.

III. INFORMACIONI QË BËHET PUBLIK PA KËRKESË

Informacioni i lejuar për publikim është i parashikuar shprehimisht në nenin 7 të ligjit Nr.119/2014 “Për të Drejtën e Informimit”.
Në përputhje me këtë program transparence të miratuar, AAC-ja vendos në dispozicion të publikut në faqen e saj zyrtare të internetit www.aac.gov.al dhe në mjediset e pritjes së publikut, kategoritë e mëposhtme të informacionit:

• Strukturën organizative të autoritetit publik;
• Tekstet e plota, të konventave që janë ratifikuar, të ligjeve, të akteve nënligjore, të kodeve të sjelljes, dokumente politikash, të manualit ose ndonjë dokument tjetër që ka lidhje me ushtrimin e funksioneve të tij dhe që prek publikun e gjerë;
• Informacion për procedurat që duhen ndjekur për të bërë një kërkesë për informim, adresën postare dhe elektronike për depozitimin e kërkesave për informim, si dhe procedurat e ankimit të vendimit përkatës;
• Të dhëna për vendndodhjen e zyrave të autoritetit publik, orarin e punës, emrin dhe kontaktet e koordinatorit për të drejtën e informimit;
• Të dhëna për arsimin, kualifikimet dhe pagat e funksionarëve, të cilët kanë detyrimin për deklarimin e pasurisë, sipas ligjit, strukturat e pagave për nëpunësit e tjerë, si dhe një përshkrim të procedurave të zgjedhjes, kompetencave dhe detyrave të funksionarëve të lartë të autoritetit publik dhe procedurën që ata ndjekin për të marrë vendime;
• Mekanizmat monitorues dhe të kontrollit që veprojnë mbi autoritetin publik, përfshirë planet strategjike të punës, raportet e auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit ose subjekte të tjera, si dhe dokumentet që përmbajnë tregues të performancës së autoritetit;
• Të dhëna për buxhetin dhe planin e shpenzimeve për vitin financiar në vijim dhe vitet e kaluara, si dhe çdo raport vjetor për zbatimin e buxhetit. Në ato raste kur autoriteti publik vetëfinancohet nga tarifat e autorizimeve, licensimeve dhe certifikimeve të parashikuara në Kodin Ajror ose çdo formë tjetër e financimit të drejtpërdrejtë nga subjektet e rregulluara prej tij, bëhen publike edhe dokumentet që tregojnë gjendjen e shlyerjes së detyrimeve nga këto subjekte;
• Informacion për procedurat e prokurimit apo procedurat konkurruese të koncesionit/partneritetit publik privat, përkatësisht, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9643, datë 20.12.2006, “Për prokurimin publik”, dhe të ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, që kryhen për llogari të autoritetit publik, duke përfshirë: listën e kontratave të lidhura, shumën e kontraktuar, palët kontraktuese dhe përshkrimin e shërbimeve apo mallrave të kontraktuara, informacionin për zbatimin dhe monitorimin e kontratave, si dhe udhëzues e politika të ndryshme;
• Informacion për shërbimet që autoriteti i jep publikut, përfshirë standardet për cilësinë e shërbimit, një përshkrim të kategorive dhe formave të ndihmës shoqërore, subvencioneve të dhëna nga autoriteti publik dhe të procedurave për t’i përfituar ato, informacione dhe dokumente që kërkohen shpesh, çdo informacion tjetër që gjykohet i dobishëm nga autoriteti publik;
• Çdo mekanizëm dhe procedurë për bërjen e kërkesave dhe ankesave, në lidhje me veprimet ose mosveprimet e autoritetit publik, procedura, përmes së cilës personat e interesuar mund të paraqesin mendimet e tyre apo të ndikojnë në çfarëdo mënyre tjetër në hartimin e ligjeve, të politikave publike apo ushtrimin e funksioneve të AAC-së, një përshkrim të thjeshtë të sistemit që përdor autoriteti publik për mbajtjen e dokumentacionit, të llojeve, formave të dokumenteve, si dhe të kategorive të informacionit që bëhet publik pa kërkesë;
• AAC-ja, gjithashtu, krijon dhe arkivon një kopje digjitale të faqes zyrtare të saj në internet, të plotësuar me informacionin që kërkohet në programin e miratuar të transparencës, si dhe për metodat, mekanizmat dhe periodicitetin e publikimit të informacioneve publike, të cilat vihen në dispozicion të publikut pa kërkesë;
• Aktet që përmbajnë rregulla, norma apo kufizime të të drejtave dhe lirive themelore të individit, si dhe me efekt të drejtpërdrejtë për ta, bëhen publike me anë të afishimit apo postimit në faqen zyrtare të internetit, brenda 48 orëve prej miratimit të aktit nga AAC-ja.