HISTORIKU

Transporti Ajror Civil në Shqipëri shënon fillimet e tij në nëntorin e vitit 1924, kur u nënshkrua Marrëveshja Qeveritare ndërmjet Shqipërisë dhe Shoqërisë Ajrore Gjermane “Lufthansa”.

Në bazë të kësaj marrëveshje konçensionare, 10 vjeçare, u krijua shoqëria ajrore shqiptare me emrin “Adria Aero Lloyd”.

Në pranverën e vitit 1925, mbasi u ndërtua një fushë me bar 400 200 m në Tiranë ( në zonën e Shallvareve), në këtë pistë të gjelbër filluan fluturimet e para ajrore të brendshme me destinacion qytetet e Shkodrës dhe  të Vlorës.

Në gusht 1927 shoqëria “Adria Aero Lloyd” u ble prej zyrës së Aviacionit Civil të Trafikut të Ministrisë së Ajrit të Italisë, e cila zgjeroi fluturimet dhe në qytetet e tjera në drejtim të Elbasanit, Korçës, Peshkopisë e Gjirokastrës dhe u hapën linja ndërkombëtare me Romën, Milanon, Selanikun, Sofjen, Beogradin, Podgoricën.

Në vitin 1934 filluan punimet për ndërtimin e Aeroportit të Tiranës (Laprakë), të cilat përfunduan në fund të vitit 1935. Ky aeroport , i cili mori emërtimin zyrtar Aeroporti i Tiranës, u ndërtua sipas parametrave optimalë teknologjikë të kohës, me pistë asfalto-betoni me dimensione 1200 x 400 m, shoqëruar me pajisje teknike e ndërtesa të përshtatshme.

Në vitet 1955-1957, u ndërtua Aeroporti i Rinasit, për qëllime ushtarake, i cili më vonë iu kalua nën administrim Ministrisë së Transporteve.

Më 25 janar 1957, u krijua “Ndërmarrja Shtetërore e Transportit Ajror me Jashtë (Albtransport), me qendër në Tiranë.

Në fillim të vitit 1992 nga Albtransporti u shkëput aktiviteti i kontrollit të trafikut ajror dhe u krijua Agjensia Nacionale e Trafikut Ajror (ANTA) si ndërmarrje më vehte, e cila nga data 15 nëntor 2013 është emërtuar ALBCONTROL SHA – Ofruesi i Shërbimeve të Lundrimit Ajror në Republikën e Shqipërisë.

Me VKM Nr. 96, datë 21.2.1995, për të përballuar zhvillimin që kërkonte koha, u ngrit Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil (DPAC), funksionet dhe përgjegjësitë e së cilës pas miratimit të ligjit Nr.10 233, datë 11.2.2010 ju kaluan Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), shkurt “Autoriteti”. 

Pas miratimit të ligjit Nr. 53/2022 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil” u rikonfirmua fusha e veprimtarisë së “Autoritetit” si Autoritet Mbikëqyrës Kombëtar, që ka në fushën e tij të veprimtarisë rregullimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive në fushën e transportit ajror civil, në zbatim të Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë (Ligj Nr.96/2020), si dhe statusi i “Autoritetit” si person juridik publik, jobuxhetor, me seli në Tiranë, veprimtaria e të cilit është nën drejtimin dhe mbikëqyrjen e ministrit që mbulon çështjet e transportit ajror, në vijim “ministri”. Për më shumë hollësi kliko ”http://qbz.gov.al/eli/ligj/2022/06/16/53
 

Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC) sipas përcaktimeve këtij ligji dhe të ligjit Nr.96/2020 “Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë” është ent publik, jobuxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për transportin ajror.

AAC-ja ushtron funksionet e autoritetit kombëtar për rregullimin dhe mbikëqyrjen e të gjitha veprimtarive në fushën e transportit ajror në përputhje me këtë Kod e aktet e tjera ligjore dhe nënligjore në zbatim të tij dhe në përputhje me detyrimet ndërkombëtare.