Drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil shqiptar KrislenKeri, mori pjesë në Mbledhjen e Komitetit të Përbashkët të Marrëveshjes Shumëpalëshe për krijimin e Zonës së Përbashkët Evropiane të Aviacionit, që u zhvillua në Bruksel, me prani të përfaqësuesve të lartë të EASA. Gjatë diskutimeve, Keri tha se AAC do të jetë e gatshme për të pritur një ekip vlerësues nga ky komitet në vitin 2019, që do përkojë edhe me miratimin e Kodit Ajror me aktet nënligjore. Drejtori i AAC Keri, ngriti shqetësimin dhe problematikën që hasin pasagjerët shqiptar me disa linja ajrore të liçensuara në një vend anëtar në BE, që janë jashtë mbikëqyrjes së AAC. Keri tha se pavarësisht se kjo është një marrëdhënie kontraktuale mes shoqërive përkatëse ajrore dhe pasagjerëve, autoritetet kompetente si ato të BE-së dhe ato të palëve të asociuara të marrëveshjes, duhet të garantojnë zbatimin e akteve rregullatore në fuqi për të drejtat e pasagjerëve. Ndërkohë që AAC, ka filluar prej kohësh një fushatë të gjerë për mbrojtjen e të drejtave të pasagjerëve. Në tryezën e punimeve u diskutua edhe për sigurinë në aviacion, dhe programin që po ngrihet nga BE bazuar në risk, që do të thotë se shtete të veçanta duhet të standardizojnë proçedurat e inspektimit. Vlerësimi i riskut do të përfshijë edhe pikat e kontrollit të sigurisë. Ndryshimet në legjislacionin e sigurisë do të përfshijnë edhe çështje si siguria e hapësirës tokësore, kërcënimi i brendshëm dhe kërcënimi kibernetik, që aktualisht nuk janë të rregulluara, por të orientuara për rregullim nëpërmjet rekomandimeve të ECAC. Në takim palët u angazhuan që të vijojë mbështetja për zgjerimin e shteteve pjesëmarrëse në iniciativën “One-Stop Security”, në të cilën edhe Shqipëria ka aplikuar. Në takim u vu theksi tek transpozimi i rregullores për të kaluar në fazën tjetër.
BRUKSEL: Takim për Zonën e Përbashkët Europiane në Aviacion
by | May 10, 2018 | Njoftime