“Rrjeti i të Rinjve të Aviacionit”
Eurocontrol, organizatë në mbështetje të aviacionit evropian, në bashkëpunim me Autoritetin e Aviacionit Civil Shqiptar, organizon programin “Rrjeti i të Rinjve të Aviacionit” – (Young Aviation Network), i cili do të zhvillohet në qytetin e Brukselit, Belgjikë, në datat 1-15 Korrik, 2020. Nga Shqipëria do të përzgjidhet për të marrë pjesë vetëm një student, i cili duhet të plotësojë kriteret e mëposhtme:
- të jetë student i moshës 18-22 vjeç
- të jetë i apasionuar pas fushës së aviacionit
- të aspirojë të punësohet në këtë fushë
- të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze.
Programi do të zhvillohet në formën e një kampi veror dhe do të trajtojë çështje të lidhura me koncepte operacionale, teknike të aviacionit, ashtu edhe me ato institucionale dhe ndërkombëtare në këtë fushë.
Gjithashtu, do të zhvillohen vizita studimore në institucione të lidhura me fushën e aviacionit, ku do t’u jepet mundësia të marrin pjesë në ushtrime stimuluese, për t’u familjarizuar me operimet aktuale në aviacion.
Në përfundim të këtij programi, studenti do të përgatisë një raport të shkurtër, i cili do të përmbajë ekperiencën e përfituar si dhe observacionet dhe idetë. Po ashtu, do të pajiset edhe me certifikatë pjesëmarrjeje. Raporti më cilësor do të marrë një çmim në shenjë mirënjohje për performancën më të mirë.
Studentët e interesuar duhet të aplikojnë online në adresën info@acaa.gov.al me subjektin: Aplikim për programin YAN, brenda datës 26.01.2020, duke bashkëlidhur CV të rifreskuar dhe letrën e motivimit.
Në letrën e motivimit ata duhet të shpjegojnë:
- arsyen e aplikimit
- lidhjen e fushës së arsimit të tyre me aviacionin
- theksimin e treguesve/fakteve të dëshirës dhe pasionit të tyre për fushën e aviacionit
- ambicies dhe planit për t’u punësuar në këtë fushë.
Gjithashtu, nëse zotërojnë certifikata të trajnimeve apo kualifikimeve, referenca si dhe angazhime vullnetare apo përvoja pune, janë të lutur t’i bashkëlidhin së bashku me dokumentat e tjerë.
Për çdo pyetje në lidhje me këtë njoftim, studentët mund t’i drejtohen në çdo kohë Autoritetit të Aviacionit Civil, në adresën e e-mailit: info@acaa.gov.al
Aplikimet që nuk plotësojnë të gjitha kërkesat e mësipërme dhe/ose dorëzohen pas afatit të caktuar do të skualifikohen.
Gjithashtu, aplikantët duhet të sigurohen të kenë pashaportë me afate të vlefshme përgjatë periudhës së pjesëmarrjes në program. Shpenzimet financiare për udhëtimin, akomodimin dhe ushqimin do të mbulohen nga programi.
Ju urojmë suksese!