AEROPORTI NDËRKOMBËTAR I KUKËSIT
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shpallur më datë 11 janar 2019 fitues për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit, bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH). Në marrëveshjen e bashkëpunimit midis tyre është përcaktuar se 30% e punimeve nëse do të akordohet kontrata e koncesionit/ppp do të kryhen nga Global Technical Mechanics shpk dhe 70 % nga Bami shpk.
Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.
Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.
Pista për avionët në flotën e linjave ajrore me kosto të ulët, do të zgjerohet deri në një gjatësi prej 2.200 metra, dhe do të ketë kodin me numrin 4. Me rritjen e kodit do të rritet edhe gjerësia e pistës në 45 metra. Me qëllim të zgjerimit dhe zonave të sigurisë do të bëhet një shtesë prej 66.000 m2 të zonës së aeroportit. Zgjerimi i propozuar i terminalit të udhëtarëve do të jetë nga aktualisht 600 m2 deri 3.800 m2.
Informacion mbi historikun e Aeroportit Ndërkombëtar të Kukësit
Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ndodhet 3,5 km në jug të qytetit të Kukësit. Gjatë krizës në vitin 1999, Emiratet e Bashkuara Arabe organizuan në Kukës një kamp modern për të ndihmuar refugjatët e luftës në Kosovë. Së pari, ata zhvilluan një pistë ajrore për furnizimet e ndihmave hyrëse në Kukës. Në atë kohë, përfaqësuesit e Emirateve të Bashkuara Arabe paraqitën idenë për zhvillimin e aeroportit civil si një dhuratë për këtë zonë, e cila u përball me fluksin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Pas pranimit të kësaj ideje, projekti i Aeroportit të Kukësit u zhvillua më tej me studime të përbashkëta të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (AAC) dhe investitorëve. Bazuar në vendimin e Këshillit të Ministrave të 15 shkurtit 2001, u miratua Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit.
Ndërtimi i aeroportit nisi më 10 maj 2003 dhe përfundoi më 31 tetor 2005. Shuma totale e investimeve ishte afërsisht 20 milionë dollarë, financim – dhuratë nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Më datë 7 Qershor 2006, Aeroporti i Kukësit kaloi nën administrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil (DPAC), që pas vitit 2010 u quajt Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC).
KONTAKT:
Shoqëria Konçesionare ” KUKËS INTERNATIONAL AIRPORT ” SHPK
Viti i Themelimit 31.01.2019
Administrator: Ridgers MEMA
Seli/Zyra Qëndrore:
Kukës, Shtiqen, Njësia Administrative Shtiqen, Kukës, Aeroporti i Kukësit, 3,5 Km në Jug të qytetit të Kukësit
Email:
info@kukesi-airport.com;
info@kuiport.al
Telefoni:
0692020805
Faqja Web:
https://www.kuiport.al/
Facebook:
https://www.facebook.com/kukesi.com1/
- Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit ZAYED- Flatrat e Veriut, më 18 Prill 2021 u krye fluturimi i parë ajror komercial me avionin e Air Albania dhe pasagjerë të ardhur nga Anglia.
https://www.facebook.com/kukesi.com1/videos/142526211093220/?t=62