POLITIKAT E PRIVATËSISË

Autoriteti i Aviacionit Civil, përmes këtij dokumenti informon se çfarë të dhënash mbledh, përpunon, përhap, ruan dhe masat e sigurisë që merr për të dhënat personale që deklarohen nga ana juaj, si përmes faqes zyrtare të internetit ashtu dhe fizikisht pranë Autoriteti i Aviacionit Civil (AAC). 

Të gjithë vizitorët që aksesojnë faqen zyrtare http://www.aac.gov.al/duhet të bien dakord me këto politika. Duke hyr në këtë faqe interneti, konsiderohet se i keni lexuar dhe pranuar kushtet e përdorimit të kësaj faqe interneti, e cila përbën “Politikën e Privatësisë” që zbaton AAC. 

Jeni të lutur të mos vijoni të aksesoni dhe të lundroni në faqen zyrtare të AACs nëse nuk jeni dakord me këtë politikë. Në të kundërt, do të konsiderohet se e keni pranuar këtë politikë. 

Rubrikat e faqes zyrtare kanë për qëllim rritjen e transparencës dhe realizimin e komunikimit dhe ndërveprimit në kohë reale me çdo subjekt a individ të interesuar duke mundësuar efektivitetin, efikasitetin dhe në një nivel sa më afër publikut. Gjithashtu, nëpërmjet kësaj faqe interneti, çdo subjekt a individ mund të aksesojë informacion të përgjithshëm dhe të dhënat përkatëse të Koordinatorit për të Drejtën e Informimit në formën më të përshtatshme dhe brenda një kohe sa më të arsyeshme. 

Lloji i të dhënave personale dhe përdorimi i tyre 

Lloji i të dhënave personale që administrohen pranë Autoritetit të Aviacionit Civil janë: 

a) të dhënat personale të subjekteve dhe/ose të individit që aplikon për herë të parë ose që kërkojnë të rinovojnë licensimet, autorizimet, lejet, certifikimet a miratimet e dhëna kohë pas kohe në përputhje me Ligjin nr. 96/2020 Kodi Ajror i Republikës së Shqipërisë (Kodi Ajror) dhe Ligjin Nr.53/2022 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC)

b) të dhënat personale të punonjësve të Autoritetit të Aviacionit Civil

c) të dhënat personale të ankuesve; 

d) të dhënat personale të vizitorëve; 

e) të dhënat personale të personave të interesuar gjatë një procedure rekrutimi punësimi. 

Autoriteti i Aviacionit Civil, në faqen zyrtare në rubrikën “formulari i ankesës”, mundëson për publikun plotësimin e formularit të ankesës, në formatin “word” dhe në formatin “online”

Gjatë plotësimit të formularit, në cilindo format, kërkohet dhënia e të dhënave personale. Këto të dhëna, nuk komunikohen me palë të tjera, por përcillen në mënyrë të automatizuar tek punonjësit përgjegjës për trajtimin e ankesave në adresën: info@acaa.gov.al. Plotësimi i rubrikave të formularit kërkohet vetëm për qëllime të ligjshme dhe në përmbushje të detyrimeve ligjore të Autoritetit të Aviacionit Civil. Formati në “word”, mundëson dërgimin Ankesës nga ankuesi me postë, në rrugë elektronike përmes me email-it (tek adresa: info@acaa.gov.al) ose me dorëzim fizik pranë mjediseve të punës së Autoritetit të Aviacionit Civil. Në pjesën e fundit të formularit, mundësohet plotësimi i deklaratës së konfidencialitetit me anë të së cilës Autoriteti i Aviacionit Civil, merr përsipër të mos përdorë dhe të mos i transmetojë personave të paautorizuar të dhëna personale apo informacione konfidenciale në lidhje me ose të marra nga ankuesi, përveç nëse autorizohet shprehimisht nga ky i fundit, ose kërkohet me ligj. Ky detyrim vlen për çdo fazë të shqyrtimit të ankesës. 

Procedurat e Rekrutimit të AAC- së, pas hyrjes në fuqi të Ligjit Nr.53/2022 “Për organizimin dhe funksionimin e Autoritetit të Aviacionit Civil”, publikuar në Fletoren Zyrtare Nr.108, më datë 29/07/2022, nuk do të kryhen më nga DAP sipas ligjit 152/ 2013 “Për nëpunësin civil”, i ndryshuar, dhe VKM të dala në zbatim të tij, por do të zhvillohen nga vet institucioni. 
 

Në rubrikën Kontakt (https://www.aac.gov.al/kontakt-main/), gjendet hapësira, të cilat kanë në përmbajtje të saj të dhëna personale, të cilat depozitohen nga aplikantët dhe informacione të gjeneruara në kuadër të procedurave verifikuese dhe akte të hartuara në përfundim të procedurave përzgjedhëse të rekrutimit.  Të dhënat personale në lidhje me aplikantët e pasuksesshëm mbahen për 12 muaj pasi konkursi i rekrutimit ka përfunduar, e më pas shkatërrohen ose fshihen. Ne mbajmë informacion të pa personalizuar për qëllime statistikore në lidhje me aplikantët, për të ndihmuar aktivitetet tona të rekrutimit, por asnjë aplikant nuk është i identifikueshëm nga këto të dhëna.

Kur një punonjës nuk është më në marrëdhënie pune me AAC, për të përgatisim një dosje në lidhje me periudhën gjatë së cilës ai/ajo ka qenë i/e punësuar. Të dhënat e përfshira në të mbahen të sigurta dhe përdoren vetëm për qëllime me rëndësi të drejtpërdrejtë mbi punësimin e personit. Kur punësimi i tyre pranë AAC përfundon, ne mbajmë dosjen personale në përputhje me Kodin e Punës, ligjin për arkivat dhe rregullat tona të brendshme.

Aktet e hartuara përmbajnë emrin e aplikantit dhe rezultatet e procedurave verifikuese ku përmenden të gjitha korrespondencat shkresore me institucionet kompetente Të gjitha aktet e hartuara dhe publikuara janë administruar në përputhje me kërkesat dhe procedurat ligjore për rekrutimin e tyre.

Qëllimi i përpunimit të të dhënave personale është për të na mundësuar të kryejmë detyrat tona rregullatore të cilat mund të përfshijnë:

  • subjektet dhe individët që aplikojnë për të marr shërbimet e ofruara nga Autoriteti i Aviacionit Civil, siç përmenden në http://www.aac.gov.al/sherbimet-e-ofruara/
  • përpunimin e të dhënave personale të punonjësve të Autoritetit të Aviacionit Civil për efekt të krijimit të marrëdhënies së punës dhe përmbushjes së detyrimeve për administrimin e dosjes personale të punonjësve; 
  • trajtimit të ankesës lidhur me ndonjë procedure rekrutimi për punësim, ose prokurimi publik, ose për mbrojtjen e të drejtave të pasagjerit referuar kuadrit rregullator dhe procedurial specifik, si dhe në rastet e subjekteve dhe stafit objekt të shqyrtimit të kundërvajtjes administrative bazuar në përcaktimet e Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë; 
  • ruajtjen dhe mbrojtjen e personelit, dokumentacionit dhe pronës në administrim të institucionit; 
  • dërgimin e komunikimeve promovuese një pale të tretë në lidhje me shërbimet që ne ofrojmë;
  • aktivitetet kërkimore;
  • administrimin e licencave, certifikatave, autorizimeve, miratimeve, lejeve të lëshuara dhe rinovimet e tyre;
  • mbajtja e regjistrit publik;
  • funksionet e mbështetjes së brendshme,
  • administrimin e institucionit publik dhe të gjitha aktivitetet që na kërkohet të kryejmë si kontrollues të të dhënave dhe si autoritet publik,
  • përdorimin e sistemeve CCTV për parandalimin e krimit.

Të dhënat personale që japin ankuesit, punonjësit e Autoritetit të Aviacionit Civil, vizitorët, personat që kanë interes për procedurat e rekrutimit, apo çdo subjekt i interesuar, përdoren vetëm për përmbushjen e qëllimeve të dhënies së këtyre të dhënave dhe në kryerjen e detyrave të parashikuara nga legjislacioni në fuqi që rregullon veprimtarinë e Autoritetit të Aviacionit Civil, si edhe në zbatim të akteve ligjore e nënligjore që rregullojnë mënyrën e përpunimit të të dhënave personale. Autoriteti i Aviacionit Civil komunikon të dhënat personale, vetëm nëse nevojiten për qëllim të rasteve kur kërkohen nga organet ligj zbatuese për nevoja të hetimit dhe zbulimit të veprës penale, duke respektuar kërkesat e ligjit nr.9987, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar. 

Punonjësit e Autoritetit të Aviacionit Civil i nënshtrohen detyrimit për të ruajtur konfidencialitetin e informacionit i cili i jepet këtij të fundit për të ushtruar funksionet e tij në bazë të ligjit, dhe mund t’a përhapë atë vetëm pranë autoriteteve shtetërore që kanë në kompetencë përpunimin e tyre në përputhje me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale. Autoriteti i Aviacionit Civil disponon faqen http://www.aac.gov.al/ nëpërmjet së cilës mbledh informacione standarde të cilat kanë të bëjnë me klikimet e rubrikave në këtë faqe. Ky informacion mblidhet për qëllime statistikore dhe studimi për të parë se cilat janë rubrikat që kanë interes për vizitorët e faqes, pa i bërë ata të identifikueshëm. 

Mbrojtja e të dhënave personale 

Mbrojtja e të dhënave personale bazohet në: 

a. përpunimin në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme; 

b. grumbullimin për qëllime specifike, të përcaktuara qartë, e legjitime dhe në përpunimin në përputhje me këto qëllime; 

c. mjaftueshmërinë e të dhënave, të cilat duhet të lidhen me qëllimin e përpunimit dhe të mos e tejkalojnë këtë qëllim; 

d. mbajtjen në atë formë, që të lejojë identifikimin e subjekteve të të dhënave për një kohë, por jo më tepër sesa është e nevojshme për qëllimin, për të cilin ato janë grumbulluar; 

e. saktësinë që të dhënat duhet të kenë dhe, kur është e nevojshme, duhet të përditësohen, duke ndërmarrë çdo hap të nevojshëm për të fshirë apo korrigjuar të dhëna të pasakta apo të paplota, në lidhje me qëllimin për të cilin janë mbledhur. 

Autoriteti i Aviacionit Civil merr përsipër të mbrojë dhe të mos keqpërdorë për asnjë rast këto të dhëna. 

Në përfundim të qëllimit të përpunimit të të dhënave personale, Autoriteti i Aviacionit Civil, i ruan të dhënat sipas legjislacionin në fuqi, që rregullon afatet specifike të përpunimit dhe ruajtjes së tyre. Të dhënat personale që mbahen në sistemet elektronike, në rast se nuk ka një detyrim ligjor për ruajtjen e tyre, fshihen, në momentin që ato nuk janë më të nevojshme për qëllimin për të cilin janë mbledhur në mënyrë të ligjshme nga ana e prokurorisë. Çdo tre (3) vjet, vendos për domosdoshmërinë e mbajtjes së të dhënave personale ose fshirjen e tyre, pas vlerësimit të kryer nga përgjegjësit e strukturave që administrojnë këto të dhëna. 

Siguria 

Autoriteti i Aviacionit Civil siguron çdo përdorues që të dhënat që mbërrijnë në adresë eAAC, janë të siguruara nga tërësia e masave organizative dhe teknike për mbrojtjen, ruajtjen, sigurinë dhe administrimin e të dhënave personale. Njëkohësisht Autoriteti i Aviacionit Civil është i përkushtuar në zbatimin me rigorozitet të të gjithë kuadrit ligjor në mbrojtje dhe respektim të çdo veprimi që lidhet me të dhënat e përdoruesve, sipas parashikimeve të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008, “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i ndryshuar, të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe çdo akti tjetër nënligjor të miratuar nga Drejtori Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil. 

Përpunimi i të dhënave personale në lidhje me shërbimet që ofrohen nëpërmjet internetit nga kjo faqe administrohet nga stafi teknik përgjegjës (specialist i TIK) për përpunimin e të dhënave. Asnjë informacion që rezulton nga shërbimi nëpërmjet internetit nuk komunikohet ose shpërndahet përveç rasteve kur informacioni kërkohet nga organet kompetente që e fitojnë këtë të drejtë me ligj të veçantë, në respektim dhe në përputhje me këto kërkesa. 

E drejta për t’u ankuar 

Çdo person, që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë Komisionerin për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur. Pas këtij ankimi, subjekti i të dhënave mund të ankohet në gjykatë, në përputhje me parashikimet e ligjislacionit në fuqi. 

Në rast se subjekti i të dhënave ka bërë ankim, kontrolluesi (AAC) nuk ka të drejtë të ndryshojë të dhënat personale deri në dhënien e vendimit përfundimtar. 

Pyetje/Ankesa/Informacion 

Me anë të informacionit të mësipërm shpresojmë t’ju kemi informuar në mënyrë të plotë rreth çështjeve të privatësisë, në funksion të përdorimit të faqes zyrtare të internetit të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC)

Për çdo kërkesë për informacion, pyetje, sqarim apo ankesë të mundshme në lidhje me funksionet dhe përgjegjësit e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe/ ose punonjësve  të AAC,  lutemi të na kontaktoni në adresën e faqes zyrtare të internetit: https://www.aac.gov.al, si dhe në adresën e institucionit: 

Autoriteti i Aviacionit Civil i Republikës së Shqipërisë

Rr. “Sulejman Delvina” P.O Box 205
Tiranë,  Shqipëri

E-mail: info@acaa.gov.al dhe/ ose Koordinatorit për të Drejtën e Informimit

Tel.: +355 4 225 12 20
Fax: +355 4 222 39 69