19 Maj 2021 – U mbajt takimi virtual i Drejtorëve të Përgjithshëm të Administratave të Aviacionit Civil të Shteteve të Evropës dhe Atlantikut të Veriut (ICAO EURNAT-DGCA), për gjendjen e implementimit dhe sfidat në kuadër të Fazës së III të punës së Taskë Forcës së ngritur nga Këshilli i ICAOs për Rimëkëmbjen e Aviacionit Civil (CART Phase III). Ky aktivitet që drejtua nga Kryetari Z. Luis Ribeiro – Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Aviacionit Civil të Portugalisë u ndoq nga Znj. Edlira Kraja – Drejtor Ekzekutiv i Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC) dhe mbi 100 pjesëmarrës të tjerë dhe, ka për qëllim ofrimin e udhëzimeve praktike, të drejtuara për qeveritë dhe operatorët e industrisë në mënyrë që të rifillojë operimi në sektorin ndërkombëtar të transportit ajror dhe të rikuperohet ky sektor nga ndikimet e COVID-19 mbi një bazë të koordinuar globale.

 

Në këtë takim folësit trajtuan çështje të tilla si, Dixhitalizimi i zinxhirit të furnizimeve dhe heqja e kufizimeve në operimet për Kargot ajrore (CART Rec 16), certifikatat e vaksinimit dhe testimet përfshirë propozimet për Kartën e Gjelbërt që dëshmon kryerjen e vaksinës për pasagjerët, Certifikatën e Gjelbërt Dixhitale (BE) propozuar nga Komisioni Evropian, aplikacionin e implementuar nga IATA, etj. Me interes u ndoqën përvojat pozitive të zbatuara nga  SHBA dhe Izraeli për vaksinimin e populates, në interes të mbrojtjes së shëndetit dhe heqjes së pengesave për rifillimin e plotë të lëvizjes së pasagjerëve, etj. Të pranishmit ranë dakort të unifikojnë qëndrimet në përgatitjet për mbajtjen e Konferencës së Nivelit të Lartë të ICAOs për përgjigjen ndaj COVID 19, caktuar për muajin tetor 2021.