Në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Transportit 2018-2021, Drejtori i Aviacionit Civil, z. Krislen Keri prezantoi prioritetet strategjike dhe objektivat në aviacion. Keri tha se ndër prioritetet strategjike për aviacionin shqiptar, renditen ndërtimi i Aeroportit të Vlorës dhe vënia në funksionim e Aeroportit të Kukësit. Duke u ndalur te Aeroporti i Vlorës, Keri tha se ky është një projekt që do të kërkojë rreth 24 muaj kohë të përfundojë nga data e fillimit të punimeve dhe pritet që ti sjellë një zhvillim të jashtëzakonshëm turistik zonës së Vlorës por edhe turizmit në vend. Një tjetër objektiv është vënia në funksionim të aeroportit të Kukësit, me një kapacitet deri në 1 milion pasagjerë dhe me impakt të madh për vendin por me ndikim edhe në Kosovë, pasi projeksionet janë që ky aeroport të jetë i kategorisë ultra low-cost. Industria e aviacionit merr një rëndësi të jashtëzakonshme në kohët e sotme, pasi rreth 80% e turistëve në Botë zgjedhin transportin ajror, duke sjellë ndikim tejet të lartë jo vetëm për turizmin por edhe në ekonomi. Në afatshkurtër gjithashtu parashikohet një rritje të fluturimeve në Aeroportin Ndërkombëtar Nënë Tereza, si e linjave të reja dhe shtimi i fluturimeve charter. Ndërsa projeksionet për sezonin e pikut janë deri në 35-36 fluturime në ditë.
Strategjia Kombëtare e Transportit, objektivat në Aviacion
by | Jun 20, 2018 | Njoftime